Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), nën drejtimin e Lorena Goxhobellit, është përfshirë në një tjetër skandal të madh që ka shkaktuar kolaps total në shërbimet për qytetarët. Me rritje tarifash deri në 80%, kjo institucion po rëndon në mënyrë të papërballueshme xhepat e shqiptarëve, duke shkatërruar besimin dhe funksionimin normal të regjistrimit të pronave. Rritjet drastike prekin çdo shërbim kryesor, nga regjistrimi i kontratave të shitjes dhe hipotekimit, te certifikatat e pronësisë dhe verifikimet online, duke bërë që qytetarët dhe bizneset të përballen me kosto shtesë dhe burokraci të pafund. Por ky veprim i drejtoreshës Goxhobelli konsiderohet si një hap i rëndë prapa në administrimin e pronave, që po krijon jo vetëm probleme ekonomike, por edhe një krizë besimi ndaj institucioneve shtetërore.
Detajet
Kështu regjistrimi i kontratave të shitjes, të dhurimit, të shkëmbimit, të heqjes dorë nga pronësia, pjesëtimi i pasurisë etj. do të kushtojë 5000 lekë me tarifat e reja, nga 3500 që kushton aktualisht, pra një rritje me 30%. Tarifa e regjistrimit të aktit të trashëgimisë do të dyfishohet, nga 1000 lekë do të bëhet 2000 lekë. Tarifat për regjistrimet e kontratave në procesin e kredimarrjes dhe hipotekimit do të pësojnë rritjen më të madhe në vlerë, deri në 5000 lekë më shumë. Regjistrimi i kontratës se hipotekës për garantimin e kredisë se dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, për kredi me vlerë deri në 1 milion lekë do të kushtojë 8000 lekë nga 7500 që ishte deri më sot; e njëjta kontratë por për shumën e kredisë deri në 10 milionë lekë do të kushtojë 17,000 nga 15,000 që ishte dhe regjistrimi i një njëjtës kontratë për kredi me vlerë mbi 10 milionë lekë do të kushtojë 30 mijë lekë ose 5 mijë lekë më shumë nga aktualisht.
