Në prapaskenat e pushtetit, aty ku intrigat zihen në heshtje dhe aleancat lidhen larg syrit të publikut, duket se është ndezur një lojë e rrezikshme për fronin e Doganave. Burime të sigurta bëjnë me dije se Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit, është parë në një takim të gjatë e të rezervuar me drejtorin e Antikondrabandës, Fatjon Shehu, njeriun që po synon të rrëzojë nga posti Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli. Mësohet se takimi është zhvilluar në jug të vendit, në një nga lokalet më luksoze dhe më të shtrenjta të zonës, ku për orë të tëra është diskutuar strategjia e marrjes nën kontroll të një prej institucioneve më të rëndësishme dhe më të pasura të shtetit. Shehu, i cili në zonën ku ka bërë fushatë politike ka premtuar hapur se “do bëhet ministër” me mbështetjen e fortë të vëllait të Kryeministrit, duket se ka hapur një front të ri lufte brenda mazhorancës.
Prapaskenat
Ndërkohë burimet thonë se prej muajsh Doganat janë mbërthyer nga një konflikt i ashpër mes linjave të brendshme, ku kampi i Shehut, i mbështetur nga Olsi Rama, ka krijuar një ngërç të madh funksionimi me strukturat e tjera. Ky bllokim ka paralizuar vendimmarrjen dhe ka shtuar tensionet në nivel drejtues. Por situata bëhet edhe më e rëndë nga fakti se Fatjon Shehu është thirrur kohët e fundit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), së bashku me disa inspektorë të tij, për t’u marrë në pyetje mbi skema të dyshuara të evazionit fiskal. Kjo lëvizje e organit të akuzës ka ndezur alarmin brenda rrjetit të tij të ndikimit, por duket se nuk e ka ndalur ambicien për të kapur majën e Doganave.
