Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka zbuluar dje një plan të fuqishëm për rrëzimin e kupolës politike 34-vjeçare që, sipas saj, ka kapur për fyti Shqipërinë. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, ajo premton kthimin e menjëhershëm të pronave tek ish-pronarët brenda dy viteve të para të qeverisjes, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga ekspertë të lartë amerikanë. Sipas saj, një nga aleatët e saj kyç është një ekonomist i njohur i administratës Trump, që ka premtuar ndihmë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së ligjit 7501. Por nuk mbaron këtu, aktivistja e njohur konservatore, Evi Kokalari thekson se ka kërkuar ndihmën e Rudy Giulianit, njeriut që pastroi Nju Jorkun nga mafia, për të shkatërruar kartelet e drogës në Shqipëri.
Ndërkohë në reagimin e saj, ajo thekson se, në një vend me më pak se 2.5 milion banorë, pastrimi është shumë më i lehtë nëse frenat i merr dikush i pakorruptueshëm. “Krimi bie kur frenat i merr dora e duhur”, thotë Kokalari, ndërsa paralajmëron një ofensivë të madhe anti-korrupsion. Në listën e saj të prioriteteve janë edhe çështja çame dhe rikthimi i emrit “Illyria” për të gjithë rajonin, si pjesë e një projekti për afirmimin e identitetit historik shqiptar. “Këto ju duken ëndrra, por unë kam një plan konkret dhe mbështetje të fuqishme nga SHBA. Shqipëria do të ngrihet – dhe ky është vetëm fillimi”, përfundon ajo me tone sfiduese.
