Gjyqtari Hazbi Balliu i përgjigjet Ramës, e nxjerr blof për konfiskimin e hotelit dhe ngre alarmin për ndërhyrjen…

Data

Në valën e aksionit për çlirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama sulmoi një tjetër zyrtar të sistemit të drejtësisë më 1 gusht, duke e renditur atë në të ashtuquajturën ‘llogore të antiligjit”. I targetuari ishte gjyqtari i Gjykatës Administrative, Hazbi Balliu dhe arsyeja lidhej me një vendim për sigurim padie me qëllim mostjetërsimin e një godine të konfiskuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në rrugë gjyqësore. “Kemi bërë konfiskime dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht se rrugës na del edhe ndonjë gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë që merr masë sigurie për një pallat të ndërtuar pa leje…,” shkroi Rama, ndërsa u bëri gjyqin edhe institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit që nuk vepronin ndaj “abuzimeve ulëritëse” të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Konflikti gjyqësor që irritoi kryeministrin Edi Rama e ka zanafillën te një vendim i vitit 2022 i qeverisë së tij për konfiskimin e pallateve pa leje për interes publik. Megjithatë, aksioni i sekuestrimeve u kthye muaj më vonë në një procedurë legalizimi, që u mundësoi shumicës së ndërtuesve që kishin shkelur lejet në qendër të Tiranës të parablinin shtesat pa leje me çmime 10 herë më lirë se vlera e tregut dhe të përfitonin qindra mijëra euro përjashtime nga taksat dhe tarifat. Por jo të gjithë ndërtuesit patën të njëjtin shans. Një hotel 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik, i ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit nga kompania RT Max në pronësinë e Thanas dhe Robert Biqikut, ishte në listën e godinave të konfiskuara me vendim të KKT-së, por ndryshe nga pallatet e tjera, kompanisë nuk iu dha e drejta e parablerjes edhe pse depozitoi 10% të vlerës së supozuar të ndërtimit në Ministrinë e Financave.

Në qershor të këtij viti, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara vendosi ndryshimin e destinacionit të godinës në zyra për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pasi godina ekzistuese që ndodhet në afërsi të Parkut të Liqenit ishte vlerësuar si godinë me rrisk si pasojë e tërmetit të vitit 2019. Kompania RT Max u ankua në Gjykatë me një kërkesë për sigurim padie ndaj vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Gjyqtari Hazbi Balliu është një magjistrat i ri, i diplomuar në vitin 2019 në Shkollën e Magjistraturës. Prej asaj kohe, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatat Administrative të Gjirokastrës, Lushnjes dhe së fundmi të Tiranës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related