Autoriteti Portual Durrës ka hapur një tender me vlerë 23,682,375 lekë për të hartuar Projektin e detajuar teknik “Linja hekurudhore Porti Porto Romano -Sukth”.
Pas ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano, ende projekt në fazë tenderimi, synimi është që transporti i mallrave të bëhet përmes rrjetit hekurudhor shqiptar. Kjo linjë e re hekurudhore me gjatësi 7879 metra do të jetë vetëm në funksion të transportit të mallrave dhe do të jetë pjesë integrale e hekurudhës Durrës-Tiranë, thuhet në dokumentet e tenderit.
Edhe kjo linjë hekurudhore që do të lidhet me stacione te hekurudhës Tiranë-Durrës do të jetë e elektrifikuar. Të gjitha kompanitë e interesuara për këtë tender duhet të dorëzojnë ofertat deri më 08 shtator 2025.
