Adriatik Lapaj kërkon mandatin e deputetit, ja kur do të vendosë Kolegji Zgjedhor

Data

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë më datën 13 gusht, në orën 10:00, ankimimin e “Shqipëria Bëhet” të drejtuar nga Adriatik Lapaj, për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 Majit.

“Shqipëria Bëhet” ka ankimuar Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në tërësi dhe pjesërisht vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Forca politike e drejtuar nga Lapaj i kërkon Kolegjit Zgjedhor që të njohë dorëheqjet e dhëna nga kandidatët e listës së mbyllur dhe mandati t’i kalojë kandidatit më të votuar në listën e hapur, i cili është Adriatik Lapaj.

Gjithashtu, Kolegjit Zgjedhor i kërkohet që të mosnjohë si të vlefshme dhe revokimet e dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit dhe Kleana Xhuveli, vajza e tezes së Adriatik Lapajt.

Ndryshe nga çfarë përcakton ligji dhe Kodi Zgjedhor, “Shqipëria Bëhet” argumenton se vullneti i qytetarëve është shprehur qartë përmes votës preferenciale dhe se ky duhet të jetë edhe kriteri kryesor për përfaqësim në Kuvend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related