Konflikti mediatik që ka prodhuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreu të SPAK, Altin Dumani u diskutua në ‘Studio Live’, me analistin Indrit Vokshi. Sipas tij, PL është një parti aksionerësh pa ideologji dhe Prokuroria mesa duket ka në hetim aksionerët e kësaj partie.
‘PL nuk ka ndonjë bazament ideologjik, ka qenë parti aksionerësh ,duhet të ketë përplasje mes aksionerëve. SPAK me çfarë thuhet ka në hetim çështje që prekin krerët e PL. Kjo ka shkaktuar traumë politike. Politikanët nuk janë mësuar të hetohen, kanë qenë ata që e kanë kontrolluar politikën. Në traumë bëhen veprime të çuditshme’, thotë Vokshi.
Nga ana tjetër, Vokshi thotë se Meta ka pësuar traumë dhe kjo vjen pasi po lëkundet statusi i tij.
‘Zoti Meta ka përjetuar një traumë politikë, për shkak të humbjes së statusit politik që ka pasur në shoqërinë shqiptare. Nuk jemi psikiatër që të shqyrtojmë gjendjen të Metës. Por duket se vjen nga humbja e statusit politik’, vijon Vokshi.
Vokshi shton se Prokurorisë në këto kushte i duhet dhënë kurajo të vijojë punën më tej.
