Kriza e brendshme në Partinë Demokratike po thellohet çdo ditë dhe tensionet kanë shpërthyer hapur. Deputeti Belind Këlliçi ka sfiduar hapur Sali Berishën pas sulmeve të Çim Pekës, duke kërkuar ristrukturim të thellë të partisë dhe një qasje krejt ndryshe nga ajo që e çoi opozitën në humbje. “Gabimin që PD bëri në vitin 2021 nuk do ta përsërisim në vitin 2025. Çdo riorganizim i mundshëm do të vendoset nga forumet më të larta të partisë, jo në mënyrë individuale,” deklaroi dje Këlliçi në një intervistë për mediat. Ai theksoi se opozita do të fokusohet te denoncimi i farsës zgjedhore të 11 majit dhe do të presë raportin final të OSBE/ODIHR para çdo vendimi për aksione politike.
“Nuk kemi një kalendar protestash për momentin. Vendimet do të diskutohen pas dorëzimit të raportit përfundimtar. Ne do të presim edhe qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se PD është në një fazë pritjeje strategjike. Por ndërsa Këlliçi apelon për unitet dhe riorganizim të kujdesshëm, Myslym Murrizi ka shpërthyer me një reagim të ashpër në rrjetet sociale që ka tronditur themelet e Rithemelimit. Në një status të gjatë, ai akuzoi drejtuesit e PD për hipokrizi, heshtje në mbledhje dhe guxim vetëm në rrjete sociale. “Pse heshtni në mbledhje dhe cicëroni nëpër FB e portale? Pse qeshni fallco e duartrokisni kot çdo propozim, rezolutë apo fjalim të Berishës, Nokës, Palokës e Vokshit? Pse nuk folët asnjë fjalë kur u bënë pazaret e pista për listat e deputetëve?”, shpërtheu Murrizi.
Ai nuk u kursye as për aleancat, duke e cilësuar “mizerabël” koalicionin me LSI dhe PDIU, që sipas tij nuk solli asnjë mandat shtesë, por vetëm “i vodhi demokratëve vota dhe i mbushi listat me llumhanë”. Murrizi vazhdoi akuzat e tij duke e quajtur sjelljen e shumë anëtarëve të forumeve drejtuese si “trimëri pas kuvendit” dhe “bërje vrime në ujë”, duke paralajmëruar se në shtator e njëjta hipokrizi do të përsëritet me duartrokitje për fjalime “bombastike revolucionare”. Por këto zhvillime tregojnë se PD mbetet e përçarë, me një pjesë të deputetëve që kërkojnë reformim dhe një pjesë tjetër që vijon të heshtë. Ndërsa Berisha vijon të jetë figura dominante, presioni nga brenda për ndryshim dhe hapje të partisë po rritet çdo ditë. Pra kriza blu po hyn në një fazë të re, ku përplasjet publike mes figurave të saj mund të përcaktojnë fatin e opozitës në prag të betejës politike të vitit 2025.
