Pesë vite burg për këdo që promovon kalime ilegale nëpërmjet kanalit të La Manshit apo reklamon pasaporta të rreme në rrjetet sociale, ky është propozimi të ri të qeverisë britanike.
Mediat britanike shkruajnë se hulumtimet tregojnë se rreth 80% e emigrantëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me gomone kanë përdorur platforma online gjatë udhëtimit të tyre, përfshirë edhe për të kontaktuar agjentë të lidhur me rrjete të kontrabandës së njerëzve.
Ndërkohë që ndihma për emigracionin e paligjshëm është tashmë vepër penale, qeveria synon që me krijimin e një vepre të re penale të fuqizojë policinë me më shumë kompetenca dhe të godasë modelin financiar të grupeve kriminale.
Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, ka paralajmëruar gjithashtu një skemë të përshpejtuar për përpunimin e kërkesave për azil, që synon të marrë vendime brenda pak javësh, për të zgjidhur vonesat në sistem.
Këto masa vijnë ndërkohë që të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 25,000 persona kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me gomone vetëm gjatë vitit 2025, një rekord për këtë periudhë të vitit.
