Ilirjan Mandro vijon të qëndrojë në krye të Akademisë së Sigurisë, pavarësisht gjetjeve të rënda të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH realizoi një auditim të thelluar për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2022 deri me datën 31.12.2023 dhe zbuloi shkelje të rënda financiare dhe administrative. Në raportin që disponon gazeta, KLSH kërkoi urgjentisht nga Ministri i Brendshëm shkarkimin e menjëhershëm të rektorit të Akademisë, z. Mandro. “Ministri i Brendshëm të marrë masa të menjëhershme, që në referencë të Statutit të Akademisë miratuar me Urdhër të përbashkët nr. 130, datë 10.03.2023 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe Ministrit të Brendshëm, nenit 11 pika 6, të propozojë shkarkimin nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë të Rektorit të Akademisë së Sigurisë z.Ilirjan Mandro, si rezultat i parregullsive të konstatuara, mbi përdorimin e fondeve publike, pa ekonomicitet, efektivitet dhe efiçencë, si dhe mospërmbushjen e qëllimeve dhe të objektivave të Akademisë së Sigurisë, bazuar në nenin 8 pika 1 të ligjit nr. 10 296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, evidenton KLSH.
Ministri i Brendshëm e zbatoi me përpikmëri detyrën dhe mungonte firma e Ministrisë së Arsimit me në krye Ogerta Manastirliun që në fund bllokoi shkarkimin pa asnjë argument zyrtar, pa asnjë komunikim publik. Në vend që të vepronte sipas rekomandimeve të auditit dhe vendimit të Ministrisë së Brendshme, Manastirliu heshti. Nga informacioni i gazetës, Ilirjan Mandro, duke përdorur lidhje të forta me Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Erzen Tola, ka arritur të legalizojë të gjitha shkeljet e ligjit për arsimin e lartë, pa i hyrë një gjemb në këmbë. Nëse lexohet raporti i KLSH, kuptohet lehtësisht favorizimi që i është bërë Mandros nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
