Epidemia e kullave shumëkatëshe tashmë është shtrirë edhe në periferinë e Tiranës, duke prekur edhe ato pak zona që i kishin shpëtuar ndërtimeve të larta. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për një kompleks rezidencial të quajtur Albora’s Lake, i cili parashikon ndërtimin e 17 kullave të larta në afërsi të Liqenin e Farkës. Kompania ndërtuese është Lion Construction në pronësi të Bardhjus Bushaj dhe Erion Gina.

Kapitali ka mundur të sigurojë maketin e kompleksit. Siç duket qartë nga fotot bëhet fjalë për një batërdi mjedisore në shkallë industriale, e cila betonizon masivisht zonën e Liqenit të Farkës.

Ky është ndoshta një nga projektet më të mëdha të ndërtimit që është miratuar ndonjëherë në Tiranë, përmasat e të cilit do të ishin të jashtëzakonshme edhe për qytete me miliona banorë, disa herë më të mëdhenj se Tirana.
