Emmanuel Macron e njoftoi vendimin vonë në mbrëmje në X (24.07). Në një postim të gjatë, presidenti francez deklaroi se vendi i tij do ta njihte shtetin palestinez. Njohja zyrtare, tha Macron, do të bëhej në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Macron e sheh këtë hap si reagim ndaj situatës gjithnjë e më të dëshpëruar në Gaza, ndaj pamjeve dhe raportimeve të njerëzve të uritur dhe ndaj thirrjeve të përsëritura dhe dramatike nga organizata të shumta ndihme. “Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndihmë humanitare masive për popullin e Gazës”, shkruan Macron. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për “demilitarizimin e Hamasit” dhe të gjithë shtetit palestinez, pasi të njihet nga Franca, i cili duhet ta “njohë plotësisht Izraelin”. Kjo, tha ai, do të kontribuonte në sigurinë e të gjithëve në rajon. Nuk ka alternativë.
Njoftim i mëparshëm
Presidenti francez kishte premtuar edhe më parë njohjen e Palestinës, por më pas e kishte shtyrë këtë. Fillimisht ai donte ta njoftonte këtë në një konferencë të OKB-së mbi zgjidhjen me dy shtete në Nju Jork – por për shkak të sulmit izraelit ndaj Iranit, kjo konferencë u shty nga qershori në fund të këtij muaji.
Macron tani e rindez debatin ndërkombëtar të bllokuar mbi zgjidhjen me dy shtete. Franca ndjek shembullin e vendeve të tjera evropiane si Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, të cilat gjithashtu e kanë njohur kohët e fundit Palestinën. Një total prej 147 shtetesh e kanë ndërmarrë këtë hap. Njohja nga Parisi do të kishte rëndësi të veçantë ndërkombëtare: Franca do të ishte shteti i parë i G7 që do të njihte Palestinën – dhe anëtari i parë perëndimor i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
