Nga Maqedonia e Veriut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me incidentin e presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
Kurti deklaroi se ka qenë përjetim i rëndë për presidenten, pasi ka qenë nën shoqërinë e vajzave të saj. Ndër të tjera ai inkurajoi organet kompetente të vijojë me hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit diplomatik, ndërsa u shpreh optimist se nuk do të përsëritet më një rast i ngjashëm.
“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Republikës së Kosovës, shkëlqesisë së saj, zonjës Vjosa Osmani, më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten kurrë më situatat e tilla”, tha Kurti.
“Sjelljet e shëmtuara, shkeljet e rregullave, që të gjitha këto që janë thënë tashmë do të zbardhen nga një raport zyrtar pas hetimit përkatës dhe unë kam dëgjuar sot dhe duke parë komunikatat e dy ministrive tona të jashtme jam shumë optimist për të ardhmen se nuk do të përsëriten më situata të tilla dhe njëkohësisht keqardhja që është shprehur më herët publikisht është përsëritur edhe sot në takim”, tha ai.
