Edhe pse të dhënat për transportin publik dhe ndërqytetas janë tashmë të disponueshme në Google Maps, përsëri nuk ndihmojnë shumë në orientim drejt destinacioneve të kërkuara, pasi rrugët dhe linjat urbane që aplikacioni sugjeron nuk janë të qarta as për vendasit.
Linjat e autobusëve në Tiranë shënohen me një shkronjë dhe një numër, jo me emrin e plotë të linjës dhe oraret nuk janë të sakta. Gjithashtu, mungon infrastruktura bazë në stacionet e autobusëve, duke e bërë të vështirë orientimin dhe identifikimin e ndalesave.
Destinacionet nuk janë të përcaktuara qartë në aplikacion, për shembull, Mali i Dajtit figuron gabimisht si i vendosur në sheshin “Skënderbej”. Një shembull tjetër është rruga nga Qendra e Tiranës drejt Dajti Ekspres. Ky udhëtim zgjat rreth 50 minuta, 36 minuta me urban dhe më pas 14 minuta në këmbë, por aplikacioni sugjeron tri linja të ndryshme autobusi: 11, 15A dhe 15B.
Këto linja përkatësisht janë Linza, Kinostudio dhe Porcelani, por në aplikacion nuk ka asnjë shenjë dalluese që të ndihmojë përdoruesin të kuptojë cilës linjë i përket secili numër, pasi autobusët në terren shënohen vetëm me emrat e linjave, jo me numrat përkatës.
