Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, duke i lënë në fuqi dënimin për çështjen e tjetërsimit të një sipërfaqe toke në fshatin Gjilekë, e cila i ishte falur Artan Gaçit, bashkëshortit të Olta Xhaçkës, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.
Goro u shpall fajtor nga Shkalla e Parë e GJKKO-së për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe u dënua me 3 vjet e 1 muaj burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar iu reduktua në 2 vjet e 20 ditë heqje lirie.
Ndërkohë, Apeli ka vendosur edhe për konfiskimin e një apartamenti me sipërfaqe prej 81.41 metra katrorë, i ndodhur pranë institucionit të Gardës në kryeqytet, e cila dyshohet si pasuri e fshehur e Jorgo Goros. Apartamenti ishte i regjistruar në emër të biznesmenit Gentian Sula i “Kodrës së Diellit”, i përfshirë në disa dosje politikanësh në SPAK.
Për artamentin në fjalë, Jorgo Goro akuzohej nga SPAK dhe për “fshehje e mosdeklarim pasurie”, por Shkalla e Parë e GJKKO-së ja hoqi masën e sukestros dhe ia ktheu apartamentin firmës së Gentian Sulës, por Apeli e ka ndryshuar vendimin.
“I pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 257/a paragrafi 2, i Kodit Penal. Nga hetimi penal rezultoi plotësisht e provuar se në pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe totale 81.41 m2, me adresë në Tiranë, aktualisht e regjistruar në pronësi të shtetasit Gentian Sula, i pandehuri Jorgo Goro është pronar faktik duke patur mbi të, të drejta dhe interesa pasurore. Nga ana tjetër, referuar Deklaratave të Interesave Private të vitit 2020 dhe në vijim, përpiluar dhe nënshkruar nga i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e subjektit të zgjedhur vendor, nuk ekziston asnjë gjurmë e deklarimit të interesave të tij apo familjarëve mbi këtë pasuri, shpenzime të mundshme për porositjen ose blerjen e tij, të drejta posedimi apo pronësie mbi të.”– thuhej në njoftimin e SPAK.
