Juristi i njohur, Romeo Kara, i cili është personazhi që e kallëzoi dhe fundosi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) Ilir Metën për aferën “CEZ-DIA”, ka komentuar situatën në të cilën ndodhet ish-presidenti, i cili ndodhet në burg. Ai shpjegon se kombinimi i të dhënave të sistemit TIMS, përgjimeve telefonike dhe përdorimit të kartave bankare të lidhura me Monika Kryemadhin ka krijuar një bazë të fortë hetimore. Madje Kara rrëzon akuzat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se kemi të bëjmë me “rrëmbim” dhe shkelje të Konventës Europiane, duke theksuar se çdo shkallë gjyqësore ka lënë në fuqi paraburgimin.
Ai rikujton edhe komponentin ekonomik të rëndë të dosjes: vendimin e dhjetorit 2010 për uljen e çmimit të energjisë drejt CEZ, që sipas tij, ka sjellë dëm dhjetëramilionë eurosh në vit. Sipas Karës, rreziku i arratisjes nuk ishte i sajuar, sidomos duke parë lëvizjet ndërkufitare dhe precedentët rajonalë si ai i Gruevskit. Hetimi, thotë ai, shtrihet në pasuri të pashpjegueshme, fonde të qarkulluara përmes ofshorëve dhe lidhje mes përdoruesve formalë e përfituesve realë, duke e tejkaluar figurën e vetme të Metës. “Sekuestroni çdo pasuri të dyshimtë dhe çoni hetimin deri në fund”, apelon Kara, duke paralajmëruar se struktura të tëra politike mund të përballen me pasoja penale.
