Vijojnë negociatat mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje parimore deri më 1 gusht, datë në të cilën presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa doganore 30% mbi pothuajse të gjitha eksportet e BE-së. Nga Uashingtoni, pas letrës, vijnë megjithatë sinjale hapjeje: “Po diskutojmë”, tha Trump, duke shtuar se “Bashkimi Evropian na ka trajtuar keq në të kaluarën, por tani po na trajton mirë. Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë me BE-në”.
Megjithatë, kujdesi mbetet i domosdoshëm, pasi presidenti amerikan ka zakon të bëjë kthesa të befasishme dhe për pasojë mbizotëron pasiguria. Ekipet teknike të Komisionit ishin dje në udhëtim drejt Uashingtonit dhe në mbrëmje komisioneri për Tregtinë Maroš Šefčovič zhvilloi një bisedë telefonike me përfaqësuesin amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer: ai është i gatshëm nga ana e tij të niset në çdo moment drejt Shteteve të Bashkuara. Është e qartë, megjithatë, se marrëveshja përfundimtare duhet të nënshkruhet nga dy presidentët, Trump dhe Ursula von der Leyen.
