Eksperti i bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, Ymer Elezi, në një intervistë, foli për urdhrin e fundit të ministrisë së Bujqësisë për të pezulluar inspektimet pa planifikim paraprak dhe të pamiratuara të AKU-së, si dhe ngritjen e një komisioni që do të testojë inspektorët e këtij institucioni.
Ai tha se mirëpret këtë vendim, dhe tha se struktura duhet të ristrukturohet sipas standarteve të BE-së. Sipas tij, me këtë riorganizim duhet të garantohen disa elementë, duke nisur nga stafi professional. Një tjetër problem që duhet adresuar, theksoi ai, është edhe pajisja me mjetet e duhura teknologjike.
“E mbështes dhe e nxis që kjo strukturë të ribëhet sipas standarteve të BE. Ajo që dua të them është për një strukturë të re por varet se si do ta bëjnë. A do të lënë strukturën e vjetër, apo do të ndërtojnë një të re. Duhet një testim professional, duhet me njohur edhe formatin e grupit të punës. Duhet të garantohen disa kushte, mundësi që struktura duhet të jetë vepruese dhe me standarte. E para janë elementet e nivelit të stafit profesional, procesi zgjedhës. Problemi i titullarëve që për hir të së vërtetës nga 2010 e deri më sot janë ndërruar 11 titullë të këtij institucioni. Një pjesë e tyre nuk kanë pasur fare lidhje me sigurinë ushqimore. Problemi tjetër është mbështetja me teknologjinë e kohës. Duhet testuar higjiena e ajrit, e ujit, të gjitha këto kërkojnë detektorë, elementë që ne të shkojmë në një rezultat final që të themi se ky produkt i përmbush kushtet. Të rriten mostrimet nëpërmjet analizave laboratorike. Duhet të rregullojmë marrëdhëniet midis edukimit të bizneseve dhe marrjes së masave për ato të pabindura. Duhet të rregullohen problemet ligjore.”, u shpreh Elezi.
