Mbyllet “kapitulli” i rinumërimit, në Durrës PD humb 18 vota, PS 5, Ndojës i zbriten 88 vota, Kalasë i shtohen…

Data

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, për qarkun Durrës, ka përfunduar pasditen e djeshme. Ky proces rinumërimi, nuk solli asnjë ndryshim në mandatet e subjekteve politike dhe as të kandidatëve. Sipas rezultatit, Partia Demokratike ka humbur 18 vota, ndërsa Partia Socialiste humb 5 vota, që ia kanë shtuar padrejtësisht nga numërimi fillestar, 5 vota humb koalicioni Djathtas për Zhvillim, 3 vota i shtohen partisë Mundësia, 1 votë i shtohet Lëvizjes Bashkë, 5 Nismës Shqipëria Bëhet dhe 1 Partisë Socialdemokrate. Sa i përket kandidatëve, (141 kuti deri tani), beteja në PD bëhet mes ish-prokurorit Arjan Ndoja (që u zgjodh deputet) dhe Aulon Kalasë, ky i fundit kërkoi rinumërim. Në betejën për rinumërim të votave, Kalaja nuk u mbështet nga PD, por nga Partia Lëvizja e Legalitetit, përmes firmës së saj, pasi ishte pjesë e koalicionit PD-ASHM më 11 maj. Nga të dhënat e KQZ, Ndoja rezulton se ka marrë 88 vota pa meritë, ndërsa Kalasë i shton 11 vota, që ia kanë hequr nga numërimi fillestar. Sa i përket kandidatëve të tjerë në PD, 54 vota i shtohen Emri Vatës, 17 i shtohen Edlira Harizit, 24 Ndrec Pjetrit, ndërsa 39 i hiqen Petro Vokopolës. Te socialistët, Arkend Balla ka marrë 63 vota pa meritë, që i hiqen nga numërimi i parë.

Ani Dyrmishi rikuperon 18 vota, Alban Xhelili 25, kurse Erjon Xhili humb 37 vota. Me përfundimin e rinumërimit në Durrës (që nuk solli asnjë ndryshim në rezultatin final për këtë qark) mbyllet totalisht dhe ky proces që u zhvillua në 4 qarqe, i kërkuar me ngulm nga opozita, por që prodhoi rezultate kontradiktore me pretendimet që kishte kjo e fundit. Rinumërimi zgjati përreth 3 javë, gjatë të cilit kutitë e votimit në Tiranë e Fier u hapën plotësisht, ndërsa në Elbasan e Durrës pjesërisht. Kujtojmë që një ditë më parë, administrata e KQZ verifikoi materialet zgjedhore në 126 kuti të Durrësit. Aulon Kalaja kërkoi rinumërim votash me pretendimin se i janë trafikuar vota brenda partisë. Pritet të shihet nëse hapja e pjesshme e kutive të Durrësit do t’i japë vota në favor të tij, për t’i marrë mandatin Ndojës. Kalaja protestoi edhe dy ditë më parë para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të Durrësit. Kërkoi gjithashtu paralelisht edhe këqyrjen e pamjeve filmike me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë. Rinumërimi i Durrësit vjen pas përfundimit të procesit të Fierit, i cili prodhoi ndryshime. Zegjine Çaushi humbi dhe rifitoi mandatin brenda një dite. Ajo u mund nga kolegia socialiste Maldrita  Bardho me një diferencë prej 10 votash nga rinumërimi, por kjo e fundit reagoi dhe tha se do t’ia linte mandatin Çaushit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related