Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur në Gjykatën Administrative i shoqëruar nga forca policie, ku po shqyrtohet padia e tij për shpalljen të pavlefshëm të emërimit të prokurorit Ols Dado.
Veliaj pretendon se emërimi i Dados si prokuror në vitin 2008 është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tij ai nuk plotësonte kriteret e nevojshme ligjore në momentin e dekretimit.
Në kërkesë-padi, kryebashkiaku argumenton se dekreti presidencial i asaj kohe është “nul ab initio”, pra i pavlefshëm që nga fillimi, duke qenë se është nxjerrë në shkelje të normave ligjore dhe procedurale.
Ai kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të marrë vendim për ndërprerjen e menjëhershme të statusit të magjistratit për prokurorin në fjalë.
Padia është depozituar më 23 janar dhe vjen në një moment përplasjesh të forta mes Veliajt dhe prokurorit Dado, i cili më herët firmosi urdhër-arrestin ndaj tij.
Seanca në Gjykatën Administrative pritet të jetë vendimtare për një çështje që prek jo vetëm një emërim individual, por edhe standardet ligjore të ushtrimit të funksionit të prokurorit në Shqipëri.
