Paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare, ose cash, ka shënuar një rritje të fortë gjatë muajve të parë të këtij viti, që përkojnë me periudhën para zgjedhore.
Kjo është një tendencë e pazakontë, teksa të dhënat historike tregojnë se përgjithësisht në pjesën e parë të çdo viti ka një frenim të parasë jashtë banke, ndërsa në pjesën e dytë të vitit ka rritje të saj e ndikuar nga sezoni veror dhe festat e fundvitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj, paraja jashtë bankave ishte 434 miliardë lekë, ose rreth 4.3 miliardë euro. Në krahasim me fundin e vitit 2024, ky tregues është rritur me 10.5 miliardë lekë (rreth 107 milionë euro), ose 2.5% më shumë. Një vit më parë (2024), ndryshimi për të njëjtën periudhë kishte qenë negativ (-4.1 miliardë lekë) dhe në 2023 rezultoi -3.5 miliardë lekë.
Të dhënat historike, tregojnë se kjo është rritja më e fortë e parasë jashtë bankave në pjesën e parë të vitit, që nga viti 2003, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat, me përjashtim të janar-maj 2020, kur u konstatua një qarkullim i lartë i parasë jashtë kanaleve bankare, por që lidhet me periudhën e pazakontë që kaloi vendi, për shkak të kufizimeve që synonin frenimin e pandemisë së Covid.
Në muajt e parë të 2025-s, niveli më i lartë i rritjes së parasë jashtë banke u shënua në mars (+6.4 miliardë lekë) dhe në maj (+4.9 miliardë lekë). Në fund të majit, paraja jashtë bankave arriti në 23.9% të parasë gjithsej, nga 23.7% në dhjetor, duke shënuar nivelin më të lartë nga korriku 2023.
