Më shumë se tre vitesh kërkimesh dhe debatesh nuk mjaftuan që bota të ketë sot një pohim të qartë mbi origjinën e virusit shkaktar të pandemisë gjunjëzuese të 2019-tës.
Një grup ekspertësh i emëruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se çështja se si filloi COVID-19, mbetet e pazgjidhur. Raporti përfundimtar mbi sëmundjen përmend mungesën e qasjes tek të dhënat kyce sidomos nga Kina, si arsyen kryesore për këtë situatë.
Edhe pse shumë prova shkencore duket se e mbështesin teorinë se virusi e ka origjinën nga kafshët dhe është përhapur te njerëzit, ekspertët e OKB-së thonë se nuk e përjashtojnë dot plotësisht edhe idenë e zanafillës në laborator. Pa qasje në qindra sekuenca gjenetike virale dhe të dhëna të detajuara të biosigurisë nga Kina, grupi nuk mundi të arrinte në një konsensus.
