Një në katër makina të regjistruara në vend nuk ka të paguar taksën vjetore nga pronari, praktikisht ato janë pa kontroll teknik. “Deri në 6-mujorin e parë të vitit 2025, numri i mjeteve debitor është 256,741 mjete, ndërsa flota totale e mjeteve aktive në republikën e Shqipërisë është rreth 950 mijë mjete, ku 50 mijë mjete janë mjete të çregjistruara përkohësisht. Tirana ka 39% të mjeteve debitorë, Durrësi me 14%, Shkodra dhe Fieri me 7 dhe 8% respektivisht.”, tha zëvendësdrejtori i DPSHTRR Endri Haxhiu. Janë 215 mijë mjete me taksa të papaguara me pronarë qytetarë, pjesa tjetër i takon bizneseve. “Vlera e detyrimeve është rreth 170 milionë dollarë.
Në totalin e këtij detyrimi rreth 84% janë individë privatë dhe 16% janë biznese. 7700 mjete janë luksi, 3% e totalit të mjeteve debitorë”, thotë Haxhiu. Zëvendësdrejtori i DPSHTRR Endri Haxhiu thotë se 40% e makinave me borxhe i kanë taksat e papaguara që prej 2012. “Rreth 103 mijë mjete (40%) kanë detyrime të papaguara kanë vjetërsi borxhi të papaguar 2012-2022, rreth 44% e mjeteve kanë detyrime nga 2024-ra deri në 6 mujori i parë i 2025-ës, dhe rreth 16% është viti 2023”, thotë zëvendësdrejtori. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor sqaron se shërbimi ndaj këtyre mjeteve është i bllokuar, dhe se borxhi i këtyre qytetarëve nuk do të fshihet.
