Rikthehet pas dy muaj procesi për tragjedinë e Gërdecit, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Më herët seancat nuk janë zhvilluar për shkak të mungesës së gjyqtares së çështjes Irena Gjoka, por edhe mungesës së ish-ministrit, i cili ka qenë për vizita në SHBA. Gjatë seancës, teksa ishte duke bërë deklarimet në lidhje me kundërshtimet e ekspertëve tekniko ushtarak, Mediu foli dje për një letër që 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve amerikane, të kërkuar nga Mbrojtja që janë dhënë në SHBA të merren parasysh.
“6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës të dhëna në SHBA vullnetarisht me (afidavid) që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane, të merren parasysh në procesin “Gërdeci”, tha Mediu në seancë. Bëhet fjalë për deklarime të personaliteteve ushtarake të kohës që janë dhënë vullnetarisht me (afidavid), që do të thotë deklarim nën betim, dhe ka vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane. Ky veprim i Mediut vjen pasi GJKKO refuzoi thirrjen e tyre si dëshmitar.
