Në vitin 2021, Partia Demokratike humbi zgjedhjet me një diferencë prej rreth 36 mijë votash ndaj Partisë Socialiste. Ishte një rezultat i kontestuar nga vetë PD për shkak të fenomeneve të manipulimit zgjedhor, si rasti Çyrbja i faktuar më pas nga SPAK apo si ngjarja e rëndë në Elbasan. Megjithatë, edhe pse mes kushteve të vështira, ai rezultat, më pas, u cilësua si “tradhti” dhe “shitje” nga Berisha, i cili ngriti një furtunë, duke e shkallmuar PD-në me preteksin e “pengmarrjes” nga Rama, SOROS-i dhe ambasada e SHBA-ve.
Katër vite më pas, me më shumë skandale dhe afera korruptive të qeverisë, me një pushtet të goditur nga të gjitha anët nga Prokuroria e Posaçme, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka rënë në një humnerë zgjedhore që nuk mund të fshihet më pas justifikimeve: mbi 250 mijë vota minus nga rezultati i Bashës në 2021.
