Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington DC në datat 15-17 maj 2025, ku u takua me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane të sigurisë dhe inteligjencës. Vizita u përqendrua në zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas një komunikate zyrtare të SHISH, gjatë qëndrimit në SHBA, Hyseni zhvilloi takime me përfaqësues të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare (ODNI), Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Ndër takimet më të rëndësishme ishte ai me Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, me të cilën u diskutuan sfidat dhe mundësitë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës. Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për garantimin e sigurisë kombëtare dhe rajonale.
