Shitja e produkteve ushqimore në rrugë vazhdon të jetë problem për sigurinë shëndetsore në qytetin e Durrësit, ndërsa Policia Bashkiake ka ulur në 5 vitet e fundit masat administative. Lehtësisht në qytet kryet shitja e qumështit me bidona plastikë, si edhe e produkteve të tjera ushqimore, por masat administrative kanë rënë ndjeshëm nga viti në vit.
Çdo ditë nga mëngjesi deri në mesditë tregtarë ambulantë të palicensuar shesin bidona me qumësht në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit. Bidona plastikë qëndrojnë në rrugë në pritje të blerësve me orë të tëra, ndonëse konsumimi i produktit të bulmetit në të tilla kushte vlerësohet i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Edhe në lagje të tjera të qytetit konstatohet shitja e qumështit me bidona në rrugë, e po kështu edhe e produkteve ushqimore, si frutat apo perimet.
Policia Bashkiake në Durrës tha se monitoron dhe kontrollon territorin nga shitësit ambulant të ndryshëm që tregtojnë produkte ushqimore në hapësira publike apo tregjet dhe vendos masa administative, por nuk i kategorizon sipas produkteve.
“Policia Bashkiake nuk i ka të kategorizuara masat administrative sipas artikujve në tregtim qumështi në bidona plastik, por i kategorizon si shitës ambulant”, tha institucioni në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Policia Bashkiake në total në pesë vitet e fundit ka vendosur 1967 masa administative, duke i ulur ato ndjeshëm nga 265 masa të vendosura në vitin 2020, në vetëm 54 masa administative në vitin 2024.
Paradoksi qëndron se në vitin 2020, që kulmoi me pandeminë COVID-19, ndërsa vendi ishte i mbyllur nga muaji mars deri në fillim të muajit qershor dhe shitja e produkteve ushqimore kryhej vetëm në tregun agro-ushqimor të qytetit, me orar të reduktuar policia bashkiake ka vendosur 265 masa administrative.
2021 ishte ende viti i pandemisë dhe me rënie të ndjeshme të aktivitetit tregtar dhe qytetarët ishin mjaft të kujdesshëm për konsumimin e produkteve ushqimore, Policia Bashkiake e Durrësit ka vendosur numrin më të madh të masave administative, 1116 të tilla.
