Deputetja e PD, Jorida Tabaku e cila arriti të sigurojë mandatin në Parlamentin e ardhshëm, ka deklaruar se për të kjo fushatë ishte ndër më të vështirat, e lodhshme e stresuese, ndërsa theksoi se i ka munguar familjes dhe fëmijëve të saj prej 3 muajsh
Marrjen e mandatit, Tabaku nuk e quan betejë të fituar, pasi siç shprehet ajo objektivin PD-ASHM nuk arritën ta realizonin, që ishte rotacioni politik.
“Mund të them se ka përfunduar ai turi i “vrapit” por procesi akoma. Ka qenë një fushatë shumë e gjatë e lodhshme dhe stresuese dhe me një sistem të ri, por edhe me shumë vështirësi.
Edhe për t’u provuar ndryshe por jo vetëm unë por edhe në kuadër të përgjithshmes të Partisë Demokratike e cila vinte edhe pas një sfide të brendshme të partisë, pra ishin shumë gjëra ndryshe dhe jo vetëm një realitet politik por edhe për mua me të vërtetë ishte një sfidë e re.
Kalova edhe pak kohë me familjen, kisha pothuajse dy muaj e gjysmë ose tre muaj që fëmijët e ndjenin mungesën dhe më numëronin ditët duke më kërkuar llogari që në nivelin personal më kishin bërë të ndihem shumë keq dhe duke u përpjekur për tu takuar me bashkëpunëtorët, me demokratët, me strukturat, dhe me njerëzit të cilët patëm këtë rrugëtim gjatë këtyre tre muajve të fundit.
