Emisioni investigativ Vetting
Në vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2020. Në raport evidentohen gjetje të cilat rëndojnë pozitat e Drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli. Nga dokumentet zbulohet se gjatë vitit të parë të pandemisë Covid-19 janë firmosur mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë rreth 23 miliardë lekë, pas datës 15 Tetor, në shkelje të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor nga disa institucione publike. Peshën më të madhe të këtyre fondeve që janë bërë në shkelje e zë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 10 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, me Aktin Normativ nr. 28/2020 është rritur me 3 miliardë lekë fondi për hapjen e 21 projekteve të reja, që nuk kishin kaluar ciklin e menaxhimit të investimeve publike. Sipas auditit rezulton se buxheti për vitin 2021 për këto projekte është 6.99 miliardë lekë, ndërkohë me ligj tavani buxhetor është miratuar 3.8 miliardë lekë duke lejuar ndërmarrje përtej kufirit të miratuar.
