Kandidati i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i ftuar në një studio televizive, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor të fundit, duke e quajtur atë një “maskaradë” dhe një nga proceset më të deformuara në historinë e Shqipërisë. Sipas Dogjanit, nëse gara do të ishte e ndershme dhe reale, ai do të kishte marrë mbi 15 mijë vota, pasi ka bërë një fushatë intensive çdo ditë.
Dogjani akuzoi qeverinë dhe krimin e organizuar për bashkëpunim të ngushtë gjatë fushatës, duke përdorur presion dhe para të paligjshme për të ndikuar mbi votuesit. Ai denoncoi edhe rolin e patronazhistëve në rrjetet sociale, të cilët sipas tij kishin filluar manipulimin shumë përpara zgjedhjeve. “Në disa qarqe, 99% e votave të ardhura nga jashtë shkojnë për PS – kjo është një makineri shtetërore, një proces totalisht i kontrolluar politikisht,” u shpreh Dogjani.
