Presidenti francez Emmanuel Macron tha se situata në Gaza ishte aktualisht “më kritikja që kemi parë ndonjëherë”, duke shtuar se “zhvendosja me forcë e popullsisë palestineze” e parashikuar nga Izraeli ishte një “përgjigje e papranueshme”. “Asnjëherë, kurrë një popullsi nuk ka qenë larg kujdesit mjekësor për kaq gjatë, pa mundësinë e shpëtimit të të plagosurve, larg ushqimit, ilaçeve dhe ujit”, paralajmëroi presidenti francez gjatë një konference për shtyp me kancelarin e ri gjerman Friedrich Merz në Pallatin Elysee. Macron i bëri përsëri thirrje Izraelit të hapë kalimin e ndihmës humanitare në territorin palestinez, të cilin Izraeli e ka bllokuar që nga 2 marsi. Për javë të tëra, zyrtarët e OKB-së dhe OJQ-të kanë lëshuar paralajmërime për rrezikun e urisë. Qeveria izraelite pretendon se bllokada synon ta detyrojë Hamasin të lirojë pengjet që mban ende në Rripin e Gazës nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Pasi u kritikua në Asamblenë Kombëtare nga presidentja e grupit të Gjelbër në asamble, Cyrielle Chatelain, e cila e krahasoi planin e shpallur të qeverisë izraelite për të pushtuar Gazën me “spastrim etnik” dhe shtoi se “Franca dhe Evropa nuk po e përmbushin detyrën e tyre”, kryeministri François Bayrou dënoi “situatën e patolerueshme të popullsisë civile” në Gaza, një situatë që është “në kundërshtim me ndërgjegjen”. “Fakti që popullsia është e kequshqyer, që nuk kanë më qasje në ushqim, ujë… e gjithë kjo është absolutisht e patolerueshme”, shtoi kreu i qeverisë franceze. “Njoftimet se qëllimi tani është pushtimi i Gazës, si dhe bisedimet për zhvendosjen e popullsisë, janë gjithashtu të padurueshme”, shtoi ai. Por “kjo bombë kishte një detonator, gjë që ndodhi me pogromin e 7 tetorit”, tha ai.
