Gjykata e Posaçme ka ndarë çështjen penale për dosjen “Metamorfoza”, ku të pandehur janë marrë ish-prokurorë, ish-zyrtarë policie dhe persona të dyshuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal.
GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën për gjykim të shkurtuar. Dosja për biznesmenin Pëllumb Gjokën, ish-efektivin e policisë Edmond Preka dhe Behar Brajoviç alias Bajri, duke qenë se kanë vepra më të rënda penale se të akuzuarit e tjerë, është ndarë më vete dhe të tre këta do gjykohen me procedurë të zakonshme.
Ndërkohë, ish-prokurori Xhevahir Lita, Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali dhe ish shefi i Operacionales Oltian Bistri do gjykohen me procedurë të shkurtuar.
Vendimi është dhënë nga treshja e gjyqtarëve Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.
Për personat e tjerë nën hetim për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga GJKKO, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është është ndarë çështja penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.

