Sot emisioni “Plug” do të jetë “Publiçitar”! Do të udhëtojmë në Tepelenë, nga ku na vijnë indiciet se skema 5D apo 5B, është zbatuar në perfeksion nga kryebashkiaku Tërmet Peçi. Bëhet fjalë për mbi 18 milionë euro që janë marrë nga fondet publike nëpërmjet një kompanie të regjistruar në emër të bashkëshortes së drejtorit të Tërmet Peçit. Shuma shkon në 66 milionë euro nëse do të llogarisim edhe tenderat që kjo kompani ka përfituar në koperim me operatorë të tjerë. Por jo vetëm kaq, tentakulat e Tërmet Peçit kanë qenë të zgjatura edhe tek fondet e bujqësisë, ku miliona euro në vend të shkonin te fermerët, kanë shkuar në kontot e Tërmet Peçit dhe njerëzve pranë tij!
Nëse keni menduar se skema të tilla si 5D apo 5B janë projekte vetëm të Tiranës nga Erion Veliaj apo Belinda Balluku, gaboheni. Një tjetër skemë abuzimi “Publiçitare”, me tenderët dhe fondet publike është ngritur në Bashkinë Tepelenë, e drejtuar që nga viti 2011 nga kryetari Tërmet Peçi.
Kompania e drejtorit të Tërmet Peçit, 66 milionë euro tendera/ Aferat e Bashkisë Tepelenë
Por si funksionon kjo skemë dhe kush fshihet pas saj? Emisioni Plug investigoi se si një kompani e themeluar nga gruaja e një zyrtari të lartë të Bashkisë Tepelenë arrin të përfitojë rreth 1.782 miliardë lekë ose rreth 18 milionë euro nga buxheti i shtetit në harkun kohor 2019-2025, duke shkaktuar tërmet “publiçitar në financat publike”, të cilat tashmë duket se do të përdoren për tërmetin e premtuar nga kryebashkiaku Peçi në zgjedhjet e 2025.
Në vitin 2015, pas fitores së zgjedhjeve lokale, kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, punëson Lorenc Bamin në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit. Lorenc Bami bëhet firmëtari i shumë lejeve të ndërtimit, fondeve dhe pronave të dhëna nga Bashkia Tepelenë. Por, një vit pasi mori këtë post, gruaja e tij, Aleksandra Bami, në bashkëpunim me shtetasin Hekuran Hoxha, krijojnë kompaninë NG STRUCTURES shpk. Në nëntor 2017, Hekuran Hoxha shet 50% të aksioneve të kompanisë djalit të tij, Fatjon Hoxha, për një shumë qesharake prej vetëm 500 eurosh.
