Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shënjestruar drejtpërdrejt zëvendëskryeministren Belinda Balluku gjatë një takimi elektoral në Fier, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Duke prezantuar kandidatët e PD për qarkun, Bardhi akuzoi Ballukun dhe strukturat e PS-së në Fier si pjesë të një “bandë elektorale” që synon të mbjellë frikë e korrupsion përmes shantazhit dhe abuzimit me pushtetin.
“Shqipëria evropiane nuk bëhet as nga Edi Rama, as nga Belinda Balluku, as nga banda e drejtorëve që kanë sjellë në Fier. Nëse do ishte garë për kush e do më shumë Evropën, fitorja do ishte e PD-së dhe demokratëve. Ne duam shtet ligjor, drejtësi dhe punë të ndershme. Ata duan oligarkë, banda dhe vjedhje,” tha Bardhi.
Ai akuzoi Ballukun se ka kthyer strukturat rreth saj në një mekanizëm abuzimi masiv: “Belinda Balluku dhe banda e saj janë nën hetim nga SPAK për vjedhje miliona euro nga shqiptarët. Kjo nuk është sjellje evropiane, është mentalitet talebani që minon të ardhmen e vendit. Kush tjetër përveç saj bën tender 10 mijë euro për larjen e makinës, apo zhduk fonde përmes projekteve si tuneli i Llogarasë?”
