Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku, i arrestuar bashkë dy zyrtarë të tjerë nën dyshimet për korrupsion tek Policia Rrugore.
Tabaku doli këtë të hënë përpara togave të zeza për vlerësim të kushteve të masës së sigurisë, ku gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidbhi pranoi kërkesën e prokurores Elida Kaçkini, duke e lënë në burg.
Ai nuk ka pranuar të flasë në seancë, teksa përmes avokatëve ka mohuar akuzat. Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e tij, oficerët e BKH-së kanë sekuestruar rreth 50 milionë lekë (25 milionë lekë të vjetra dhe 26 mijë euro). Shuma e parave të sekuestruara u konfirmua edhe nga SPAK, edhe pse nuk u tha se në cilën banesë ishin gjetur.
Ndërkohë, ditën e nesërme pritet të dalin para GJKKO-së për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë edhe shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka dhe shefi i aksidenteve Sokol Novaku.
Të tre ata u arrestuan tre ditë më parë nën akuzën për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
