Erseka ka tashmë një nga investimet më të mëdha në energjinë diellore në Shqipëri. Parku fotovoltaik “Erseka Solar Park” i shtrirë në një sipërfaqe prej 120 hektarësh, përdor teknologjinë më të fundit në prodhimin dhe monitorimin e energjisë, duke kontribuar ndjeshëm në diversifikimin e burimeve energjetike të vendit. Ky investim është pjesë e një strategjie kombëtare për të arritur pavarësinë energjetike deri në vitin 2028, duke iu bashkuar poleve të tjerë energjetikë në zhvillim si ai i Fierit, Karavastasë dhe Delvinës.
Gjatë vizitës në këtë park këtë fundjavë, sëbashku me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi këtë investim si një nga iniciativat më të rëndësishme dhe më të guximshme në sektorin e energjisë. “Kemi një nga parqet më të mëdha fotovoltaike në vend, me teknologji të avancuar jo vetëm në prodhim, por edhe në sistemet e monitorimit. Ky është një pol i ri energjetik, që e shtrin rrezatimin diellor të juglindjes në një përfitim konkret për vendin”, theksoi ministrja Balluku. Parku aktualisht prodhon energji me kapacitet deri në 100 megavat dhe është i pajisur me tre sisteme të monitorimit SCADA, përfshirë teknologjinë nga Siemens, që ndjek automatikisht pozicionin e diellit për të maksimizuar prodhimin. Inxhinierët raportuan se vetëm në një ditë me kushte optimale, parku arrin të prodhojë 20 megavat. Projekti ka gjeneruar një numër të konsiderueshëm vendesh pune, me paga që fillojnë nga 1,000 euro.
