Një valë e re hetimesh po shkund themelet e klasës politike dhe administratës së lartë shtetërore. Emrat e 30 zyrtarëve të nivelit të lartë ndodhen aktualisht në skanerin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në një operacion që synon të zbardhë fshehjen e pasurive, abuzimet me detyrën dhe lidhjet e dyshimta financiare me familjarët. Hetimi është i thelluar dhe i ndërlidhur, ku struktura ligjzbatuese po gërmon jo vetëm në pasuritë e vetë zyrtarëve, por edhe në llogaritë bankare, pronat dhe transaksionet e njerëzve të afërt të tyre bashkëshortë, fëmijë, vëllezër, motra, ortakë të heshtur.
Raporti i fundit i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI) zbulon një panoramë shqetësuese: pasaktësi masive në deklarata, qindra masa administrative, dhe dhjetëra referime penale që po zmadhojnë rrethin e zyrtarëve të përfshirë. Me një bashkëpunim të intensifikuar me SPAK-un, janë dorëzuar të dhëna të detajuara për këta 30 zyrtarë, të cilët dyshohet se kanë përdorur pozitat publike për përfitime të paligjshme dhe pasurim të fshehtë.
