Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, e cila kishte ankimuar sekuestrimin e celularit nga Prokuroria e Posaçme.
Ajo kërkonte rikthimin e ceularit të sekuestruar, por edhe pas vendimit të sotëm, celulari do të mbetet sërish në duart e SPAK.
Ditën e djeshme, oficerët e BKH-së ushtruan kontrolle edhe në një apartament në katin e dytë, sipër banesës banesës së Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës tek “Kodra e Diellit”, e cila në letra është marrë me qira nga një çift tjetër, por dyshohet se përdoret nga çifti Veliaj-Xoxa.
Ajola Xoxa ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Fillimisht, Xoxës iu caktua masa “arrest në shtëpi”, por pas tre ditësh, GJKKO ia lehtësoi masën, për shkak të djalit të vogël, duke qenë se dhe Erion Veliaj ndodhet në burg.
Ajola Xoxa akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
