Fushata për zgjedhjet e 11 majit ka hyrë në një fazë të re, duke u zhvendosur përtej kufijve të Shqipërisë, drejt zemrës së diasporës. Liderët politikë shqiptarë kanë pasur dje takime elektorale në Itali dhe Greqi, ku jetojnë mijëra emigrantë me të drejtë vote. Kryeministri Edi Rama, nga Milano, u bëri thirrje qytetarëve të votojnë Partinë Socialiste për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian, duke vënë theksin te drejtësia e re dhe reformat. Në të njëjtën kohë, Sali Berisha kërkoi mbështetjen e shqiptarëve në Brescia, duke paraqitur rikthimin e tij si mision kombëtar dhe duke mbrojtur konsulentin amerikan Chris LaCivita.
Lulzim Basha, në Selanik, akuzoi Ramën për kapjen e shtetit dhe përqafimin e korrupsionit, ndërsa promovoi programin e Koalicionit Euroatlantik si alternativë për të ndalur largimin masiv të shqiptarëve. Të tre liderët synojnë të mobilizojnë diasporën, e cila po shihet si faktor kyç në rezultatin e zgjedhjeve. Pra me fjalime të ashpra, premtime të vjetra e retorikë të njohur, beteja politike është zhvendosur në emigracion, aty ku shpresohet të fitohet edhe zemra e elektoratit të pavendosur.
