Një furi raportimesh në median pro-qeveritare për shifrat e turistëve të huaj gjatë vitit 2024, krijojnë idenë se Shqipëria është shndërruar në një lloj parajse mbi tokë. Raportet e INSTA-it, por së fundmi, edhe të Bankës së Shqipërisë, flasin për mbi 11 milionë turistë të huaj në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, një shifër, e cila, nga ana tjetër, nuk është përkthyer aspak në rritjen e konsumit të brendshëm. Kryeministri Edi Rama, i cili është përfshirë në fushatë elektorale për të marrë mandatin e tij të katërt qeverisës, e ka shndërruar temën e turizmit në një prej kuajve të tij kryesorë të betejës.
Ai nuk lë rast pa përmendur sukseset dhe ato që i konsideron si investime të mëdha për thithjen e turistëve të huaj. Megjithatë, përtej fushatës propagandistike të tij, dega kryesore e turizmit në Shqipëri, ai bregdetar, është në një nivel, që është pak të konsiderohet skandaloz. Turistët, si shqiptarë e të huaj, janë dëshmitarë të mungesës së investimeve, papastërtisë dhe infrastrukturës në pjesën dërrmuese të vijës bregdetare shqiptare. Një panoramë të plotë jepet edhe në një Raport Auditimi Performance mbi “Menaxhimin e Plazheve Publike”, të publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).
