Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republika, ishte i ftuar këtë të martë në një emision televizive nga ku foli për takimet e opozitës për zgjedhjet e 11 majit.
Ai u shpreh se qëllimi ishte që të tregoheshin shqetësimet për situatën në Shqipëri. “Prej kohësh, opozita shqiptare ka zhvilluar kontaktet e veta, ndoshta pak të vonuara me PE-në CDI e Kongresin Amerikan e tashmë edhe me Asamblenë e Këshillit të Europës. Qëllimi ka qenë të njohin situatën në Shqipëri, një situatë që ishte pikturuar shumë rozë pa ndonjë vëmendje të veçantë për problemet që ka Shqipëria, në mënyrë të veçantë krimin e korrupsionin.
Ajo që është më e rëndësishmja, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Raporti i OSBE-ODIHR ka treguar qartësisht se votat në Shqipëri blihen, votuesit intimidohen, krimi e korrupsioni janë të përfshirë në blerjen e votës. Po ashtu, edhe mënyra sesi është përdorur drejtësia kundër opozitës, duke e vendosur atë përballë një procesi që nuk kanë një bazë të fortë ligjore.
