Gjykata e Posaçme ka marrë vendim duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme të regjistrojë procedimin penal ndaj deputetes Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi për veprat penale te shpërdorimit të detyrës, pastrimit te parave dhe falsifikimit te dokumenteve. Gjykata është vënë në lëvizje nga eurodeputeti Alfred Beleri që bëri kallëzim ndaj tyre në SPAK për çështjen e tjetërsimit të pronave në Himarë.
Në momentin që SPAK mbylli hetimet për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro dhe bashkë me disa të tjerë e dërgoi në gjyq, pushoi hetimet për Xhaçkën dhe bashkëshorti i saj me argumentin se nuk janë gjetur prova per ndjekjen penale. Por këtë vendim Beleri e ankimoi ne gjykate ku kërkonte shfuqizimin e vendimit të SPAK me të cilin njoftohej mosfillimi i procedimit penal ndaj shtetasve të kallëzuar Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi, ku ky i fundit përfitoi rreth 10 mije metra katror tokë në një fshat të Himarës në cilësinë e investitorit strategjik.
Për këtë pronë të blerë nga bashkëshorti i Xhaçkës, sipas gjykatës, është dhënë statusi i investitorit strategjik nga Këshilli i Ministrave, pjesë e të cilit ishte edhe Olta Xhaçka si ministre e Mbrojtjes në atë kohe. Por sipas gjykatës, Xhaçka me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të të pasurive shtetërore.
