Më 26 mars 2000 Vladimir Putin u zgjodh president i Rusisë. Sot ai sundon si diktator. Një vështrim retrospektiv se si ish-oficeri i KGB-së e ka zgjeruar pandërprerë pushtetin e tij.
Në fakt ajo qe vetëm një formalitet: në zgjedhjet presidenciale ruse më 26 mars 2000 Vladimir Putiniu konfirmua në detyrë me 52,9 për qind të votave. Rezultati dihej që në fillim. Sepse kur Boris Jelzin u dorëhoq papritur më 31 dhjetor 1999, Putini, i cili nga 9 gushti 1999 ishte kryeministër, mori përsipër edhe detyrat e presidentit sipas kushtetutës.
Putini është në pushtet prej 25 vjetësh. Për t`u bërë sundimtari autokratik dhe i padiskutueshëm i Rusisë, ai ka vepruar me strategji – edhe pse për disa vjet nuk ishte në pallatin presidencial.
Ndërrim karrigesh në Kremlin
Meqë sipas kushtetutës ruse presidenti në atë kohë nuk lejohej të mbante më shumë se dy mandate radhazi, zgjedhjet e 7 majit 2008 sollën një ndërrim postesh. I besuari i Putinit, Dmitri Medvedev, ish-kryetar i bordit mbikëqyrës të Gazprom, zëvendësoi Putinin në detyrë.
