Fushata elektorale e 11 majit po shoqërohet nga akuza të rënda për ndërhyrje të krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Analisti dhe gazetari i njohur, Denis Dyrnjaja ka ngritur alarmin për rolin e Ergys Agasit, i cili, sipas tij, po orkestron një skemë të dyshimtë për sigurimin e mandateve të deputetëve për llogari të Edi Ramës në Durrës.
Ai deklaron se zgjedhjet po shndërrohen në një garë gangsterësh dhe se strukturat kriminale po ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin final. Sipas Dyrnjajës, duhet bërë transparencë e plotë për lidhjet mes Agasit dhe kryeministrit, ndërsa drejtësia duhet të veprojë me urgjencë. Me dyshime të forta për ndërhyrje kriminale edhe në Elbasan dhe Shkodër, analisti thekson se zgjedhjet nuk po i fiton më vota e lirë, por financimet e errëta dhe grupet e fuqishme të interesit. Ndërkohë zoti Dyrnjaja nënvizon se partitë e mëdha janë të lidhura ngushtë me strukturat kriminale, ndërsa partitë e vogla nuk kanë mbështetjen e këtyre rrjeteve të fuqishme.
Por teksa shohim këtë skenar të rrezikshëm, duket se zgjedhjet e lira janë në pikëpyetje, ndërsa PD, ndonëse jashtë pushtetit për 12 vjet, nuk mund të shfajësohet për metodën që nisi dekada më parë, thekson ai. Ndërkohë analisti Dyrnjaja vë në dukje faktin se ndërhyrja e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë është jetike për të mos lejuar që Parlamenti të mbushet me individë të lidhur me botën e krimit. Megjithatë nëse kjo skemë nuk zbardhet dhe ndëshkohet, Shqipëria rrezikon të kapet plotësisht nga mafia politike.
