Në një vend ku rregullat janë bërë për t’u anashkaluar dhe tenderët publikë janë një lloj lotarie ku fituesi dihet që më parë, shfaqet epopeja e pesë drejtorëve “Balluk”, të cilët kanë kthyer institucionet shtetërore në një teatër kukullash, ku fijet tërhiqen në këtë rast nga zëvendësja e kryeministrit Edi Rama, Belinda Balluku. Arben Ahmetaj akuzoi pak javë më parë se ajo kontrollon drejtpërdrejt 5 ministra duke u nisur me atë të Mbrojtjes, Piro Vengu, të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministrin e Financave Petrit Malaj, të cilët i përmendi me emër. Akuza e dytë ishte se ajo ka ngritur një skemë të ngjashme me atë që eksperimentuan drejtorët e bashkisë së Tiranës.
“Edhe Balluku ka 5B e saj”, tha Ahmetaj. Gazeta “SOT” do të sjellë një cikël shkrimesh për 5B e Ballukut, për të cilët flet Arben Ahmetaj. I pari është Blendian Dalipi, drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Sipas investigimit të mediave, të cilat kanë përfunduar në SPAK, Dalipi kishte përdorur kompaninë IDK Konstruksion të së atit të tij, Bajram Dalipi, përmes të cilës ka përfituar rreth 30 milionë euro punë publike. Një pjesë e madhe e tyre janë dhënë nga institucione që kanë qenë në vartësi të Belinda Ballukut. Madje vetë Balluku siç raportuam pak ditë më parë ka firmosur një kontratë koncesionare në favor të babait të administratorit të OSHEE-së.
