Qindra pacientë të diagnostikuar me sklerozë multiple në Shqipëri kanë pasur trajtim të munguar ose të vonuar me medikamente, duke rrezikuar shëndetin dhe cilësinë e jetesës.
Etleva* ishte vetëm 20 vjeç kur u diagnostikua me një sëmundje autoimunitare të pashërueshme të quajtur Skleroza Multiple. Në vitin 2001, kur ishte studente në Itali, ajo përfundoi në spital për shkak të dhimbjeve të forta të kokës, mpirjes në njërën anë të trupit dhe disa episodeve të humbjes së ekuilibrit.
Lajmi që mori nga mjekët ishte tronditës.
“M’u errësuan sytë, u mbylla në vete dhe m’u desh shumë kohë që të mësohesha me këtë sëmundje, e cila më shfaqej herë pas here,” kujton Etleva, sot 44 vjeç.
Perpecitë e Etlevës me sëmundjen u rënduan pas kthimit në atdhe, ku ajo u mjekua për disa vite me Interferon – medikamenti i vetëm në atë kohë në dispozicion të pacientëve me sklerozë të shumëfishtë në Shqipëri. Por Interferoni e humbi efektin në trupin e saj dhe medikamente të tjera nuk kishte.
