Doshi i “rrëmben” komisionerin zgjedhor Ramës

Data

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të votojë formulën e ndarjes së komisionerëve të grupeve të numërimit të votave, një formulë që, sipas propozimit të publikuar për konsultim publik, i jep Partisë Demokratike në opozitë dhe aleancës së saj për “Shqipërinë Madhështore” dy numërues nga katër ndërsa dy të tjerët mbeten për t’u caktuar, një nga Partia Socialiste e Edi Ramës dhe një nga Partia Socialdemokrate e politikanit të sanksionuar nga Administrata Biden, Tom Doshi.

Projektvendimi thotë që, në kushtet kur, sipas kodit zgjedhor që u dakordësua në këtë çëshme me marrëveshje mes PD dhe PS në vitit 2003, grupet e numërimit duhet të jenë të balancuara, të përbëhen nga katër anëtarë, dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita. Në rast se ka më shumë se një parti në qeverisje, komisionerët ndahen nga një për dy partitë më të mëdha dhe po kështu ndodh me opozitën.

Një klauzolë pak e njohur e kodit zgjedhor thotë gjithashtu që partitë që hyjnë në koalicion parazgjedhor, ia kalojnë të drejtën e emërimit partisë kryesuese. Në opozitë, Partia Demokratike është duke garuar në zgjedhje në një koalicion të titulliar “Shqipëria Madhështore”, gjë që, sipas konkluzionit të ekspertëve të KQZ-së, do të thotë që Partia Demokratike do të përcaktojë dy numëruesit nga opozita.

Nga ana e maxhorancës situata ishte më e komplikuar për shkak se, Partia Socialiste zyrtarisht qeveris e vetme. Por tre deputetë të Partisë Socialdemokrate të kryesuar nga Tom Doshi, kanë votuar në vijimësi në favor të projektligjeve të propozuara nga qeveria apo Partia Socialiste ndërsa vetë Tom Doshi ka deklaruar mbështetjen e tij për qeverinë e Edi Ramës menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2021. Rrjedhimisht kjo parti u klasifikua nga KQZ si parti në qeveri dhe për këtë arsye, projektvendimi për caktimin e partive që propozojnë anëtarët e grupeve të numërimit, konkludon se, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, socialdemokratëve u takon të emërojnë komisionerin e dytë nga katër të tillë në këto grupe numërimi.

Në politikën shqiptare, grupet e numërimit janë konsideruar me rëndësi kyçe për integritetin zgjedhor sipas supozimit se në të shkuarën, numëruesit, qoftë të blerë nga njëra palë, qoftë të emëruar në mënyrë të njëanshme, mund të kenë efekt në numërimin e drejtë të votave dhe rrjedhimisht, në përcaktimin e fituesit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related