Qeveria serbe ka shpallur formalisht dorëheqjen e saj, pasi Kryeministri Millosh Vuçeviç dorëzoi postin, pas ngjarjeve të tensionuara që përfshinë sulme ndaj studentëve. Pas kësaj, qeveria ka hyrë në periudhën e mandatit teknik, pa mundësi të propozojë ligje apo vendime. Pas një periudhe të tensionuar politike dhe presionit nga opozita për krijimin e një qeverie tranzitore, mundësitë për këtë janë duke u diskutuar. Opozita kërkon një qeveri që të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të drejta, por presidenti Aleksandër Vuçiç është i palëkundur në kundërshtimin e një qeverie të tillë.
Mandati i qeverisë serbe përfundoi zyrtarisht dje, pasi deputetët e Kuvendit të Serbisë deklaruan se kryeministri Millosh Vuçeviç kishte dhënë dorëheqjen, gjë që sjell edhe rënien e të gjithë qeverisë. Afati ligjor për zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së re është 18 prilli dhe nëse kjo nuk ndodh, Presidenti i Serbisë është i detyruar të shpërndajë Kuvendin Kombëtar dhe të thërrasë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 deri në 60 ditë, që është fillimi i qershorit.
Opozita, pas dyshimeve se zgjedhjet e dhjetorit 2023 janë vjedhur, po insiston për një qeveri kalimtare ose një qeveri ekspertësh që do të krijonte kushtet për zgjedhje të ndershme dhe demokratike brenda një viti. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nga ana tjetër, thotë se “për sa kohë është gjallë” nuk do të pajtohet me një qeveri tranzitore dhe se “vetëm mund ta vrasin”, sepse nuk do të lejojë që “llumrat” të marrin pushtetin pa zgjedhje dhe të “shkatërrojnë Serbinë”. Vuçeviç dha dorëheqjen në mes të protestave studentore në mëngjesin e 28 janarit
