Policia turke ka arrestuar kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu pasi bastisi shtëpinë e tij. “Qindra oficerë policie u shfaqën në derën time,” i tha ai X. “Unë kam besim te kombi im Ne po përballemi me një tirani të madhe, por dua që ju ta dini se unë nuk do të dorëzohem.” Një nga ndihmësit e tij tha se njeriu, që besohet të jetë rivali kryesor i Erdoganit, ishte dërguar në selinë e policisë.
Urdhri i arrestit për Imamoglu u lëshua me akuzën e “zhvatjes, korrupsionit, mashtrimit dhe manipulimit të ofertave nga një organizatë kriminale” dhe “ndihmës dhe nxitjes së organizatës terroriste PKK”, njoftuan mediat turke. Në bastisjet e policisë, përveç Imamoglut, u arrestuan rreth njëqind persona që besohet se ishin të afërt me të, përfshirë gazetarin e njohur Ismail Saymaz . CHP, partia kryesore opozitare e Turqisë, e cila ka zgjedhur dy herë Imamoglun si kryebashkiak të Stambollit, e quajti arrestimin “një grusht shteti kundër vullnetit kombëtar”. Vetëm disa orë më parë, Universiteti i Stambollit kishte anuluar diplomën e Imamoglut, të cilën ai e mori në fillim të viteve 1990, duke e konsideruar atë të rreme.
Kryebashkiaku së fundmi njoftoi synimin e tij për të kandiduar për president në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për vitin 2028, dhe një nga kërkesat për të qenë president i Republikës në Turqi është të ketë një diplomë universitare. Javët e fundit, prokurorët e Stambollit hapën një hetim për diplomën e Imamoglu pasi Këshilli i Arsimit të Lartë i Turqisë vuri në dyshim vlefshmërinë e dokumentit. Imamoglu u diplomua në Universitetin e Stambollit pasi u transferua në vitin 1990 nga një universitet në Qipron veriore.
