Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit ku ndodhet prej 13 shkurtit, i është përgjigjur me shkrim disa pyetjeve të Top Story, me Grida Dumën në lidhje me arrestimin dhe reagimet e tij ndaj prokurorit të çështjes.
Pyetje: Çfarë beteje është të godasësh drejtësinë, kur ju vetë, kur keni dalë nga SPAK, keni folur me konsiderata të larta për standardet e reja të drejtësisë dhe i keni konsideruar kolegë Prokurorët e SPAK? Nga njëra anë, ju dhe gjithë Partia Socialiste jeni investuar ta tregoni Reformën në Drejtësi si produkt të PS, pse i ul kredencialet e tua duke goditur drejtësinë?
Erion Veliaj: Unë nuk po godas drejtësinë! Në SPAK ka plot njerëz dinjitozë, me 10-ta, me meritë dhe me profesionalizëm, që i bëjnë nder kësaj reforme. Dhe po, kolegë janë, punojmë të gjithë për Republikën, për Shtetin, për vendin. Koleg është edhe pastruesi e polici, edhe kryeministri dhe Presidenti – se punojmë të gjithë për një mision, Shqipërinë në Europë e Tiranën si pjesën më Europiane të saj.
